HISTORIA JONË

Disa vite më parë lexova një artikull tronditës lidhur me përbërësit e fshehur që ndodhen në një pjesë të konsiderueshme të produkteve që përdorim në jetën e përditshme, duke nisur nga ushqimet, pijet e deri te kozmetika e detergjentet. Shkencëtarët po fillojnë të kuptojnë se kimikatet që gjenden në një pjesë të madhe të produkteve janë më toksike e të dëmshme nga sa mendohej. Shëndeti dhe mirëqenia nuk ka të bëjë thjesht me dietën dhe stërvitjen, por më së tepërmi me zvogëlimin e ekspozimit ndaj lëndëve toksike. Për këtë arsye, është ide e mirë që të jemi të ndërgjegjshëm ndaj këtyre përbërësve dhe të ndërmarrim masa për të mos rënë në kontakt me këto lëndë.

Kështu, nisi dhe rrugëtimi im për kërkimin e produkteve me përbërës natyrorë. Zbulova se shumë nga lëndët toksike dhe të dëmshme gjendeshin në produktet e përditshmërisë sime – dhe në ato që konsideroheshin luksoze. Aty kuptova dhe ironinë e këtyre të fundit – a nuk konsiderohet shëndeti luksi më i madh?!

Gjatë kohës së kërkimit për lëndë efektive për lëkurën dhe me origjinë natyrore hasa përbërës, të cilët gjendeshin në një sërë bimësh shqiptare. Dhe papritur lindi ideja për nisjen e një kompanie kozmetike, ku produktet do të ishin me lëndë natyrore, efikase dhe që do të vinin nga natyra e egër shqiptare, në fund të fundit a nuk na i ofron natyra jonë të gjitha?

Nga lartësitë e maleve, thellësitë e luginave dhe shtrirja e fushave të Shqipërisë vjen Petalis – një linjë bukurie e krijuar nga bollëku i bimëve të egra të natyrës sonë.